Shkup, 06 maj, Zhurnal.mk – Profesori universitar dhe një nga autorët e Ligjit në ardhje për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, Jeton Shasivari, ka ngritur kritika të forta ndaj mekanizmit të deritanishëm të njohur si “balancues”, duke e cilësuar atë si një devijim serioz nga parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në një analizë të detajuar, Shasivari thekson se për më shumë se një dekadë, ky mekanizëm ka krijuar një praktikë problematike në administratën publike.
“Ajo që për një dekadë u quajt ‘balancues’, në thelb ishte një deformim i rëndë i rendit kushtetues dhe i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Administrata publike u shndërrua në një skenë ku identiteti kombëtar nuk respektohej, por tregtohej”, deklaron Shasivari.
Sipas tij, problemi kryesor qëndronte në mungesën e kritereve objektive për deklarimin e përkatësisë kombëtare, çka ka hapur rrugë për keqpërdorime.
“Praktika e ‘balancuesit’ prodhoi një realitet juridikisht të papranueshëm: deklarime arbitrare të përkatësisë kombëtare, pa asnjë kriter objektiv për parandalimin e tyre. Kjo cenoi parimin kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë”, thekson ai.
Shasivari nënvizon se ky sistem ka qenë në kundërshtim edhe me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht me të drejtën për vetëidentifikim të lirë dhe vullnetar.
Në këtë kontekst, ai vlerëson si të rëndësishëm vendimin e Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut për shfuqizimin e këtij mekanizmi.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte thjesht eliminim i një mjeti dixhital, por një ndërhyrje për të rikthyer rendin kushtetues dhe për të ndalur një praktikë që kishte marrë përmasa të abuzimit sistemik”, shprehet Shasivari.
Ai shton se ky vendim konfirmoi qartë se imponimi i deklarimit të përkatësisë kombëtare bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese.
Duke folur për ligjin e ri, Shasivari thekson se ai është ndërtuar mbi parimet e jurisprudencës ndërkombëtare dhe kalon të ashtuquajturin “test i trefishtë”: qëllimi legjitim, nevoja e arsyeshme dhe proporcionaliteti.
“Ligji në ardhje garanton pa ekuivok të drejtën e çdo individi për vetëidentifikim të lirë, përfshirë edhe të drejtën për të mos deklaruar përkatësinë kombëtare. Kjo është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaron ai.
Megjithatë, ai sqaron se ndryshe nga praktika e mëparshme, ligji i ri nuk lejon që kjo liri të keqpërdoret.
“Deklarimi mbetet i lirë, por përdorimi i tij në kontekste të caktuara juridike, si punësimi publik, mund t’i nënshtrohet kritereve objektive. Pikërisht këtu ndërtohet balanca kushtetuese”, thekson Shasivari.
Sipas tij, këto kritere nuk kanë për qëllim të përcaktojnë identitetin e individit, por të shërbejnë si mekanizma administrativë për të parandaluar deklarimet arbitrare.
“Kriteret e lidhura me dokumentet personale, si emri i regjistruar në letërnjoftim apo dokumente të tjera publike, nuk synojnë të përcaktojnë përkatësinë, por të funksionojnë si indikatorë administrativë kundër abuzimit”, sqaron ai.
Në përmbyllje, Shasivari vlerëson se ligji i ri përfaqëson një hap të domosdoshëm drejt ndërtimit të një sistemi më të drejtë dhe funksional në administratën publike, duke balancuar të drejtat individuale me interesin publik.
“Ky ligj rikthen standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, duke garantuar një sistem që respekton dinjitetin e individit dhe njëkohësisht parandalon keqpërdorimet”, përfundon ai.
