Shkup, 22 shtator – Me fillimin e vitit të ri shkollor, një dukuri për të cilën duhet patur shumë kujdes nëpër shkolla është bullizimi. Në kohët moderne, kjo dukuri është shfaqur tejmase, e sidomos me përdorimin e telefonave celularë, dhe si pasojë e kësaj dukurie negative shumë fëmijë nuk mund të durojnë dhe bëjne veprime nga më të ndryshmet, qoftë edhe vetvrasje, shkruan “Zhurnal.mk”.
Bullizmi është një formë e sjelljes agresive e manifestuar nga përdorimii forcës apo detyrimit (shtrëngimit) për të ndikuar të tjerët, veçanërisht kur kjo sjellje është zakon dhe përfshin mungesë ekuilibri të pushtetit.
Ai mund të përfshijë kanosje verbale, kërcënimin fizik ose detyrimin dhe është i drejtuar në mënyrë të përsëritur ndaj të njëjtës viktimë, duke u nisur ndoshta nga raca, gjinia, feja, aftësia, etj.
Bullizmin e hasim në 3 lloje të abuzimit: Emocional, verbal dhe fizik. Është një femomen që mund të ndodhë në shkollë, në punë, në shtëpi, në internet dhe kudo tjetër.
Ngacmimi në shkollë mund të përshkruhet si një situatë në të cilën një ose më shumë nxënës (dhunues, ngacmuesi) zgjedhin një fëmijë dhe angazhohen në sjellje me qëllim dëmtues të këtij fëmije. Ngacmimi mund të shkaktojë dëmtim fizik, shqetësime emocionale, dhe/ose siklete sociale ose poshtërimin.
Kur ngacmimi shfaqet i drejtpërdrejtë, ngacmuesi është përballë fizikisht me viktimën. P.sh kur e kërcënon, kur e sulmon fizikisht (e godet, e shtyn) ose e vendos në situata të cilat e bëjnë viktimën të ndihet keq (e përqeshin, e tallin, nuk e lejojnë të ulët me ta.)
Në rastin ngacmimit të fshehur, ngacmuesi sulmon pozicionin dhe reputacionin që ka krijuar, zakonisht i bën këto veprime kur viktima nuk është i pranishëm. Një nxënës është ngacmues i fshehur, në rast se përhap thashetheme të liga, ose shkruan fletushka fyese për një nxënës tjetër, ose kur organizon një grup nxënësish për ta izoluar atë nxënës. Viktimat janë tërësisht në disavantazh sepse ata mund të mos e mësojnë kurrë identitetin e personit apo të grupit të personave ngacmues.
Nuk është se ka një profil të qartë që të mund të ndihmojë mësuesit dhe shkollën të identifikojë ata nxënës të cilët mund të bien pre e ngacmimeve. Një tregues i rëndësishëm është prania, por edhe mungesa e shokëve.Një faktor tjetër që mund ta viktimizojë fëmijën është mosha. Zakonisht fëmijët më të rritur ngacmojnë ata më të vegjlit.
Është mirë që shkolla të jetë e një mendje për atë që quan “bullizëm” dhe se kur duhet të ndërhyjë stafi për të ndërprerë një ngacmim që po ndodh. Përqindja e ngacmimeve në shkollë bie ndjeshëm kur stafi është në gjendje të identifikojë shenjat e bullizmit dhe bie dakord të ndërhyje kur vëren sjellje jo të sigurta, që të dëmtojnë dhe shfaqin mungesë të respektit për tjetrin.
Në mbledhjet me prindër, shkolla duhet të rekrutojë prindërit të punojnë me ta për të ndaluar ngacmimin e nxënësve. Nëse prindi mohon praninë e problemit, ose refuzon të bashkëpunojë për të ndërprerë sjelljet ngacmuese, shkolla e vendos atë para faktit që do të vëzhgojë fëmijën nga afër dhe do të ndërmarrë masa disiplinore sipas rastit, në rast përsëritje të sjelljes, shkruan “Zhurnal.mk”.
Mësuesit duhet t’i inkurajojnë nxënësit që të mos duken të mërzitur nga fyerjet, përqeshjet, ngacmimet e të tjera. Prindërit dhe mësuesit duhet t’i mësojnë fëmijët që të thuajën “jo” me zë të plotë e të qartë për fëmijët që janë të shtypur.
Nëpër rrjetet sociale në Maqedoninë e Veriut ditë më parë u publikua një video se si disa vajza e bullizojën dhe e dhunojnë një vajzë tjetër, duke e rrahur dhe duke e incizuar. Së fundmi dukuri të tilla po publikohen gjithandej nëpër rrjetete sociale jo vetëm në Maqedoni, por edhe në botë. Shumë prej fëmijëve të bullizuar, duke mos e pranuar presionin e madh, kanë marrë vendime të rrezikshme, deri sa kanë bërë vetvrasje.
Prandaj, prindërit dhe mësuesit duhet të jenë në bashkëpunim të vazhdueshëm, duke vërejtur sjelljet e fëmijëve dhe duke marrë masat e nevojshme që mos të vjen deri te ndonjë veprim jo i duhur. Për këtë teme kaq të ndjeshme duhet të flasin jo vetëm mësuesit, por edhe klerikët fetarë dhe çdo kund në shoqëri, media dhe mbledhime të ndryshme. Kujdes maksimal ndaj fëmijëve, mos t’i lëndojmë e mos të lejojmë që shpirtkëqinjtë t’i lëndojnë!, shkruan “Zhurnal.mk”.