Editorial / Integrimi në BE pa të drejtë vote, pa komisionerë, pa eurodeputetë – çfarë fitohet e çfarë humbet?

Nga admin
484 e lexuar
A+A-
Rivendos

Shkup, 2 mars, Zhurnal.mk – Ideja për një integrim të këtillë të vendeve jo anëtare në Bashkimin Evropian tash ka marrë jehonë ende pa patur një qëndrim nga vet Bashkimi Evropian, 27 qeveritë e vendeve anëtare, Komisionit Evropian e as Parlamentit Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryetari i Serbisë Aleksandar Vucic të shtunën janë shprehur në favor të kësaj ideje, madje pa patur ende qëndrim unik nga vendet kandidate të rajonit të Ballkanit Perëndimor, e as nga Ukraina e Moldavia.

Sipas shkrimit nga Rama dhe Vucic, ky llloj integrimi I pjesërishëm do t’iu mundësonte vendeve në fjalë çasje të plotë në tregun unik/brendshëm të BE-së dhe qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave në zonën Schengen, shkruan Zhurnal.mk.

Të bëhesh anëtar i BE-së pa të drejtë vote është një status i dëshiruar nga të dy zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe Serbisë, shpesh i quajtur “anëtarësi e pabarabartë” ose pranim me faza, që to t’iu lejonte vendeve të reja të bashkohen me tregun e vetëm të BE-së dhe të gëzojnë përfitime të caktuara pa pasur veto ose të drejtë vote për politikat e BE-së. Ky koncept sipas tyre synon të përshpejtojë zgjerimin, duke mbrojtur BE-në nga bllokimet e mundshme institucionale për anëtarë të rinjë gjatë reformave të brendshme në bllokun evropian.

Aspektet kryesore të këtij modeli të propozuar përfshijnë ndikim të reduktuar, periudhë e tranzicionit ku synohet të jetë një rregullim i përkohshëm, që zgjat derisa BE të reformojë proceset e saj të brendshme të vendimmarrjes, siç është kalimi në votim me shumicë të kualifikuar.

Mirëpo për të kaluar në vendimarrje me shumicë ta kualifikuar, përsëri duhet vendim pozitiv unanim nga krejt 27 vendet anëtare. Dhe kjo nuk pritet që të ndodhë në ndonjë të ardhme të afërt për shkak të interesave të shteteve individuale të cilat do të humbnin peshën e vendimarrjes për të mbrojtur interesa të tyre në raste apo çështje të veçanta.

Ideja e integrimit të pjesërishëm, pra pa të drejtë vetoje, pa komisionerë, e pa ulëse në Parlamentin Evropian, është që anëtarët e rinjë do të fitojnë të drejta të plota në një fazë të mëvonshme, pasi BE-ja të ketë rishikuar mënyrën e vendim-marrjes dhe për ta lehtësuar atë më vonë përmes shumicës së kualifikuar (ang. QMV).

Mirëpo, cilat janë të këqijat e kësaj ideje?

Raste të efektit negativ të një “anëtarësimi” të këtillë do të ketë përplot. Sepse ato fillojnë që nga vendimarrja për çfarëdo çështje, e për çfarëdo sektori nga 27 vendet e tashme anëtare, e që do të duhej të zbatoheshin edhe nga vendet e reja “anëtare” pa të drejt vote, pa pa të drejtë vendimarrje.

Një lloj i këtillë “anëtarësimi” do të shndërrone këto vende në vende të rangut të dytë pa të drejtë vendimarrje dhe të detyruara të zbatonin vendimet e të tjerëve.

Një shembull. Tek miratimi i buxhetit të BE-së, vendet pa të drejtë vote, nuk do të kishin asnjë fuqi për të shtyrë përpara interesat e tyre financiare në këtë buxhet.

Me fjalë të tjera, 27 qeveritë të do vendosnin se sa para do të duhej ndarë për vendet e vendoura në “dhomën” e dytë të shtëpisë.

Shembuj të tillë të shumtë mund të marrim edhe në freskimet ligjore (të quajtura rregulativa) që propozohen nga Komisioni Evropian, apo qeveritë anëtare e që në fund shndërrohen në ligje përmes Parlamentit Evropian për t’u adoptuar pastaj edhe parlamenet e krejt vendet anëtare me të drejta të plota, dhe këto të tjerat pa të drejta të plota.

Meqë tashmë debati ka shpërthyer, me këtë ide duhet që të merren së pari partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë në Maqedoni të Veriut, pa pritur nëse do të ketë qëndrim unik nga 27 vendet e BE-së.

Vuçiç e as Rama nuk kanë të drejtë të flasin në emër të maqedonisë së Veriut

E përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut nuk duhet heshtur por duhet hapur debatin e brendshëm dhe të dalin me qëndrimin e tyre PËR ose KUNDËR.

Në rastin se janë në favor të kësaj ideje, kjo nuk do të mjfatonte pa tentuar pasuruar atë edhe më tej. Por do të duhej një kreativitet për ta pasuruar këtë ide edhe më shumë, për të mos kufizuar kërkesat për të drejta shtesë dhe pse jo maksimalizuar ato, pra së bashku krejt vendet e tjera të rajonit dhe Ukrainën e Moldavinë.

Dhe krejt në fund, shtrohet një pyetje e madhe: A duhet organizuar referendume popullore në vendet në fjalë për një lloj të këtillë integrimi, pra të pjesërishëm dhe kalimtar.

Përgjegja në këtë pyetje duhet të jepet nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, në pritje të qëndrimit unik të BE-së për këtë ide, Maqedonia e Veriut duhet të kërkoj sqarime shtesë nga BE dhe nga Bullgaria se në çfarë forme do të merrej një vendim për integrim të pjesërishëm për vendet e interesuara: me votë unanime nga 27 apo me shumicë të kualifikuar.

Nëse me votë unanime, cili është qëndrimi i Bullgarisë? A do të lejonte Bullgaria një integrim të këtillë të Maqedonisë së Veriut pa e ndryshuar kushtetutën për bashkësinê bullgare.

Shumë pyetje pa përgjegje. Prandaj duhet filluar debati në Shkup para se të kërkohen qartësimet dhe qëndrimet e nevojshme nga 27 vendet e BE-së, e në rastin e Maqedonisë së Veriut, sidomos qëndrimi i Bullgarisë e cila ende po përdorë muskujt e vetos ndaj Shkupit.//Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër