Editorial / Komisioni i Venecias nuk ndalon gjuhën shqipe – pse shteti dhe Kushtetuesja po e bllokojnë?

Nga B.M
958 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 prill, Zhurnal.mk – Qytetarët shqiptarë të vendit paguajnë taksa si edhe të gjithë të tjerët, dhe taksat e tyre nuk u përdorën si duhet as 5 vite nga qeveria e kaluar pasi erdhi opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e përdorimit të gjuhëve në vitin 2019, e as tash e 2 vite nga qeveria e tashme për zbatim të plotë të gjuhës shqipe në vet institucionet publike të vendit, pra as nëpër gjykata, ndërkohë që të githë të punësuarit në institucione publike, përfshirë edhe në gjykata e prokurori, pagat i marrin edhe nga 25% e popullatës banuese në vend dhe kompanitë e tyre, pra edhe nga populli shqiptar i vendit..

Shpërthimi i problemit të heshtur ndër vite

Nuk ka ndonjë befasi pse shpërthyeu përsëri në skenën publike ngecja e zbatimit të plotë të gjuhës shqipe, pas heshtjes ndër vite, përkundër freskimit të ligjit tëgjuhës disa herë.

Por ligjet e miratuara në kuvend, mbeten në të shumtën e rasteve ligje në letër, e ngecjet në zbatim në shumë institucione publike në raport me përdorimin e saj nga qytetarët, pra takspaguesit, shqiptarë u grumbulluan.

U dashtë që studentët shqiptarë të kërkojnë dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare në mënyrë që të nxjerret nga “harresa” e viteve 2019-2024 dhe 2024-2026 përpara publikut ngecja në zbatim të ligjit të gjuhëve nësistemin e “drejtësisë” në Maqedoni të Veriut. 

Provimi i jurisprudencë

Zbatimi i drejtë dhe i plotë i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut dhe dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte pika kryesore e kërkesës së protestës së mbajtur të hënën.

Autoritetet zyrtare maqedonase në Maqedoninë e Veriut e konsiderojnë si të tepërt këtë kërkesë, duke u thirrur me shtrembërime të jashtëzakonshme tëRaportit të Komisionit të Venecias.

Kësaj radhe “Zhurnal.mk” ka analizuar më në detaje Përmbledhjen e përbashkët ‘amicus curiae’ të Komisionit të Venecias dhe Drejtorisë së Përgjithshme e Demokracisë dhe Dinjitetit Njerëzor (DGII) e Këshillit të Evropës mbi standardet ndërkombëtare dhe evropiane mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në jetën publike dhe në procedurat gjyqësore miratuar nga Komisioni i Venecias në Sesionin e tij të 142-të Plenar (Venecia, 14-15 Mars 2025), dokument numër CDL-AD(2025)013, 17 mars 2025, në përgjigje të pyetjeve dërguar nga Gjykata Kushtetuese.

 Dy pyetjet e dërguara nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut deri te Komisioni i Venecias!

Në hyrje të këtij dokumenti thuhet se kërkesa është bërë më 20 nëntor 2024, nga ana e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut i cili ka kërkuar një përmbledhje amicus curiae nga Komisioni i Venedikut në kontekstin e një çështjeje që është në pritje në Gjykatën Kushtetuese mbi çështjen e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të miratuar nga Parlamenti në mars 2018.

Gjykata Kushtetuese ftoi Komisionin e Venedikut të përgjigjet në pyetjet e mëposhtme:

1. Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe evropiane mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në jetën publike, pra në organet shtetërore dhe institucionet publike në nivel qendror (veçanërisht mbi kriteret për përdorimin e gjuhëve të pakicave në të gjithë territorin e shtetit) dhe në nivel lokal (njësitë e vetëqeverisjes lokale), dhe

2. Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe evropiane mbi përdorimin e gjuhëve në procedurat para gjykatave dhe gjyqësorit në përgjithësi?

Në opinionin e lëshuar nga Komision i Venecias në fillim sqarohen procedurat dhe rrugët të cilat janë ndjekur për të dhënë këtë opinion, duke treguar se më parë ky Komision i ka zbatuar këto instrumente të përgjithshme dhe specifike për të analizuar legjislacionin që lidhet me përdorimin e gjuhëve të hartuara ose të miratuara në disa vende, p.sh., Letoni, Ukrainë dhe vetë Maqedoninë e Veriut.

Komisioni i Venecias përgjigjen e saj e ka përgatitur në mënyrë eksplicite në pyetjen e parë të shtruar ku kërkohet përgjigje për praktikat e përdorimit të gjuhëve të PAKICAVE (MINORITETEVE). Në këtë drejtim, Komisioni e trajton këtë çështje në bazë të të drejtave të PAKICAVE sipas “Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve” të cilën Maqedonia e Veriut e ka nënshrkuar por nuk e ka ratifikuar në Kuvend.

Në pikën 32 të këtij opinioni, Komisioni i Venecias citon nenin 10 të kësaj Karte, ku thuhet se u lihet shteteve individuale një hapësirë e madhe për të vendosur mbi përdorimin e gjuhëve rajonale dhe të pakicave në fushën e autoriteteve administrative dhe shërbimeve publike. Rregullorja duhet të marrë gjithmonë parasysh situatën konkrete, e cila mund të jetë mjaft e ndryshme në vende të ndryshme dhe për secilën gjuhë rajonale ose të pakicave…

Në pikën 34, Komisioni i Venecias dhe DGII dëshirojnë të theksojnë se Shtetet duhet të përdorin kritere objektive dhe duhet të respektojnë parimin e mosdiskriminimit, duke siguruar gjithashtu konsultime me personat që lidhen me pakicat kombëtare. Ndërsa Konventa Kornizë inkurajon masat që duhen marrë në nivel lokal në lidhje me kontaktet me autoritetet administrative në gjuhët e pakicave, Karta i lejon Shtetit të zgjedhë shkallë të ndryshme të angazhimeve të mëtejshme duke marrë në konsideratë ndryshimet kryesore në situatat de facto të gjuhëve rajonale ose të pakicave. Sidoqoftë, kjo duhet të shoqërohet me një angazhim për të siguruar burimet përkatëse dhe për të bërë rregullimet administrative të nevojshme për ta bërë atë efektive.

Në kuadër të pyetjes së dytë: Standardet ndërkombëtare dhe evropiane mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në procedurat gjyqësore dhe nga gjyqësori, Komisoni sqaron se kjo pyetje është përgjigjur sipas standardeve të zbatueshme për një të pandehur në procedurat penale ndërkokmbatëre siç janë ICCPR (International Covenant on Civil and Political Rights – Pakti Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike) dhe ECHR (European Convention on Human Rights – Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut).

Në pikën 36, thuhet se ICCPR dhe ECHR njohin të drejtën e çdo personi të akuzuar për një vepër penale për t’u informuar menjëherë dhe “në një gjuhë që /personi/ e kupton” për natyrën dhe shkakun e akuzës si dhe të drejtën për të “pasur ndihmën falas të një përkthyesi nëse nuk mund ta kuptojë ose të flasë gjuhën e përdorur në gjykatë”.

Në pikën 43 thuhet se bazuar nga ajo që është thënë më sipër, Komisioni i Venecias dhe DGII arrijnë në përfundimin se nëse një i pandehur në procedurë penale nuk e kupton gjuhën shtetërore të përdorur në gjykata, zbatohen standardet ligjërisht të detyrueshme të ECHR-së  (përveç dispozitave të Kartës), ndërsa nëse një i pandehur në procedurë penale e kupton gjuhën shtetërore, por dëshiron të shprehet në “gjuhën që është emocionalisht më e afërt” me të, zbatohet Neni 9 i Kartës (nëse Shteti e ka ratifikuar Kartën), shkruan “Zhurnal.mk”.

Konkluzionet e Komisionit të Venecias

Në përgjigje të pyetjeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut, Komisioni i Venecias dhe DGII kanë arritur në përfundimet e mëposhtme:

49. Standardet evropiane dhe ndërkombëtare të shqyrtuara duhet të konsiderohen si “standarde minimale”. Për më tepër, standarde të tilla nuk nënkuptojnë vetëm që të drejtat gjuhësore të pakicave kombëtare përcaktohen në rregulla të qarta legjislative, por edhe që zbatimi praktik konsistent i ligjit garantohet duke siguruar burimet e nevojshme. Një zbatim i duhur i ligjit është një aspekt thelbësor i Sundimit të Ligjit. Shtetet janë të detyruara të mbajnë pasojat e zgjedhjeve të tyre në lidhje me politikat mbi gjuhët e pakicave, duke pasur parasysh hapësirën e gjerë të diskrecionit që u jepet atyre.

50. Komisioni i Venecias dhe DGII dëshirojnë të theksojnë se Shtetet duhet të përdorin kritere objektive dhe duhet të respektojnë parimin e mosdiskriminimit, duke siguruar gjithashtu konsultimin e grupeve të pakicave. Ndërsa Konventa Kornizë inkurajon masat që duhen marrë në nivel lokal lidhur me kontaktet me autoritetet administrative në gjuhët e pakicave, Karta i lejon Shtetit të zgjedhë shkallë të ndryshme të angazhimeve të mëtejshme duke marrë parasysh ndryshimet kryesore në situatat de facto të gjuhëve rajonale ose të pakicave. Sidoqoftë, kjo duhet të shoqërohet nga një angazhim për të siguruar burimet dhe për të bërë rregullimet administrative të nevojshme për ta bërë atë efektive.

51. Komisioni i Venecias dhe DGII e kanë të vështirë të ofrojnë një listë të plotë të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare që zbatohen për përdorimin e gjuhëve të pakicave në jetën publike, duke pasur parasysh situatat e ndryshme që rrjedhin nga Shteti i ratifikimit të instrumenteve përkatëse, dhe bazuar në hapësirën e gjerë të vlerësimit që u lihet Shteteve me qasjen “a la carte”, duke i lejuar ato të marrin në konsideratë veçoritë e situatës së tyre faktike dhe sistemet e tyre ligjore përkatëse. Komisioni i Venecias dhe DGII konsiderojnë se pritjet mund të jenë në mënyrë të arsyeshme më të larta në lidhje me përdorimin e një gjuhe pakice kur komunikohet me autoritetet në nivel lokal (në një rreth në të cilin numri i banorëve që përdorin atë gjuhë pakice justifikon marrjen e masave), duke marrë parasysh se këto janë autoritetet publike më të afërta me qytetarin. Në mënyrë të ngjashme, duhet të bëhet një dallim midis komunikimit nga autoritetet publike në një dosje individuale dhe komunikimit nga autoritetet publike në lidhje me tekstet dhe format e zbatueshme përgjithësisht. Lidhur me kategorinë e fundit, autoritetet mund të pritet “në mënyrë të arsyeshme” të marrin më shumë masa. Gjithashtu, duhet të bëhet një dallim midis të drejtës së personit që flet një gjuhë pakice për të paraqitur informacion tek autoritetet në atë gjuhë (më pak e rëndë) dhe detyrimit që autoritetet të përgjigjen në atë gjuhë (më e rëndë).

52. Komisioni i Venecias dhe DGII arrijnë në përfundimin se Shtetet duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që të drejtat e gjuhëve të pakicave në sistemin gjyqësor të zbatohen plotësisht dhe për të siguruar mbrojtje për gjykim të drejtë, duke përfshirë edhe fazat hetimore dhe paragjyqësore, kryesisht në kontekstin e procedimeve penale. Detyrimet që lidhen me procedurat penale, që synojnë të garantojnë të drejtën për një gjykim të drejtë për të akuzuarin, përbëjnë thelbin e rregullores mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në gjyqësor. Megjithatë, këto janë standarde minimale dhe asgjë nuk e pengon Shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e duhur të drejtësisë. Nëse bëhet një zgjedhje e tillë, është edhe më thelbësore të sigurohen burime të mjaftueshme financiare që lejojnë zbatimin e dispozitave ligjore, shkruan “Zhurnal.mk”.

 Shqiptarët nuk janë pakicë!

Hileja e parë që është bërë nga Gjykata Kushtetuese është në formulimin e pyetjes së parë, ku ata e pyesin Komisionin e Venecias se: 1. Cilat janë standardet ndërkombëtare dhe evropiane mbi përdorimin e gjuhëve të pakicave në jetën publike, pra në organet shtetërore dhe institucionet publike në nivel qendror (veçanërisht mbi kriteret për përdorimin e gjuhëve të pakicave në të gjithë territorin e shtetit) dhe në nivel lokal (njësitë e vetëqeverisjes lokale).

Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, Amendamenti IV thuhet se: 1. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, populli maqedonas, si dhe qytetarët të cilët jetojnë brenda kufijve të saj të cilët janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë, duke e marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre…

Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut (2021) treguan se vendi ka gjithsej 1,836,713 banorë rezidentë. Nga popullsia rezidente, 54.21% janë maqedonas, 29.52% shqiptarë, 3.98% turq, 2.34% romë, 1.18% serbë, 0.87% boshnjakë dhe 0.44% vllehë, ndërsa të tjerë: 7.46% (përfshirë ata që nuk janë deklaruar).

Sipas Amendamentit V të Kushtetutës, në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Pra, nga kjo rezulton se shqiptarët nuk janë pakicë, nuk kanë statusin e pakicave dhe janë pjesë e popullit autokton shqiptar që është pjesë formuese e shtetit të Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zhurnal.mk”.

Procedurat gjyqësore të zhvillohen edhe shqip!

Sa i përket gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, Komisioni sqaron saktë se sipas Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike si dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çdo personi të akuzuar për një vepër penale për t’u informuar menjëherë dhe “në një gjuhë që /personi/ e kupton” për natyrën dhe shkakun e akuzës si dhe të drejtën për të “pasur ndihmën falas të një përkthyesi nëse nuk mund ta kuptojë ose të flasë gjuhën e përdorur në gjykatë”.

Pra nëse një i pandehur shqiptar, thekson në gjykatë se ai nuk e njeh mirë gjuhën maqedonase, atëherë gjykata obligohet që t’i ofrojë përkthyes në gjuhën që ai e njeh, e kuptn dhe e ndjen emocionalisht më të afërt.

Prandaj, gjuha shqipe në gjykata do ta lehtësoje procesin e sidomos kur edhe gjykatësi, edhe i pandehuri, edhe prokurori janë shqiptarë. A do të detyrohen të gjithë të flasin maqedonisht!

Provimi i jurisprudencës është i lidhur me sistemin gjyqësor, por nuk është pjesë e drejtpërdrejtë e tij!

Studentët shqiptarë të hënën protestuan për të drejtën që provimin e jurispodencës ta japin në gjuhën shqipe. Në fakt kjo është një drejtë aq themelore dhe logjike. Nëse gjithë procesin mësimor univerisitar një student e ka bërë në gjuhën shqipe, është e nevojshme, e logjikshme dhe konform ligjit që edhe provimi të bëhën në gjuhën shqipe.

Arsyetimet e palës maqedonase se provimi i jurispodencës duhet të jepet në maqedonisht sepse është pjesë e sistemit gjyqësor, nuk mban aspak. Kjo për faktin se provimi i jurisprudencës nuk është pjesë e sistemit gjyqësor si institucion, por është shumë i rëndësishëm për t’u bërë pjesë e tij.

“Provimi jepet për të verifikuar kompetencën profesionale të personave që kanë përfunduar një arsim të lartë katërvjeçar në studime juridike VII/1, si dhe të personave që kanë studiuar studime juridike sipas Deklaratës së Bolonjës dhe kanë 300 kredite sipas Sistemit Evropian të Transferimit të Krediteve (ECTS) (në tekstin e mëtejmë: të diplomuar në drejtësi) për zbatimin e pavarur të rregulloreve në praktikë dhe kryerjen e punës juridike për të cilën kjo kërkesë është parashikuar me ligj”, https://www.pravda.gov.mk/mk-MK/resursi/pravosuden-ispit

Sistemi gjyqësor përfshin gjykatat, gjyqtarët, prokuroritë, prokurorët, avokatët (në kuptim më të gjerë), ndërsa me dhënien e provimit të jurispodencës bëhesh jurist i licencuar për ushtrimin e profesionit juridik dhe fiton të drejtën për të aplikuar për pozita si gjyqtar (pas kushteve shtesë), prokuror, noter, përmbarues etj.

Komisioni nuk ndalon zbatimin e gjuhës shqipe!

Pyetja që i drejtohet Komisionit të Venecias nga ana e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese që në fillim është e djallëzuar dhe me qëllim jo të pastër, duke e devijuar tërësisht marrjen e një përgjigje të drejtë.

Komisioni me të drejtë i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese në bazë të pyetjes së formuluar. Por, edhe në përgjigjen e formuluar dhe në konkluzat e paraqitura, Komisioni në fund i bën me dije qeverisë dhe shtetit të Maqedonisë së Veriut se …këto janë standarde minimale dhe asgjë nuk e pengon Shtetin të garantojë të drejta më të gjera gjuhësore në procedurat gjyqësore, me kusht që kjo të mos pengojë administrimin e duhur të drejtësisë. Nëse bëhet një zgjedhje e tillë, është edhe më thelbësore të sigurohen burime të mjaftueshme financiare që lejojnë zbatimin e dispozitave ligjore”.

Gjithashtu Komisioni thotë se …”Karta i lejon Shtetit të zgjedhë shkallë të ndryshme të angazhimeve të mëtejshme duke marrë parasysh ndryshimet kryesore në situatat de facto të gjuhëve rajonale ose të pakicave”.

Në opinion ishte krijuar ideja se Komisioni ka dhënë mendim negativ, por në fakt me konkluzionet e lartëpërmenduar, sqarohet saktë se rekomandimet që i jep ky Komision janë “standarde mininmale, dhe asgjë nuk e pengon shtetin të garantojë të drejta më të gjëra gjuhësore…”.

Në bazë të kësaj që thotë Komisioni i Venecias, është detyrë e institucioneve të vendit që urgjentisht të implementohet gjuha shqipe edhe në provimin e jurisprudencës, dhe të krijojë kapacitetet praktike financiare për zbatim të gjuhës shqipe edhe në proceset gjyqësore dhe në gjithë nivelet që i parashikon ligji.

U bënë tash 7 vite që nga ky opinion e rekomandim i Komisionit të Venecias, 5 nga qeveria e kaluar e 2 nga qeveria e tashme, dhe zvarritja krijimit të kushteve për zbatim të gjuhës shqipe në institucionet e ligjit e rendit, pra edhe në gjykata, nuk ka asnjë arsyetim të vetëm praktik.

Qytetarët shqiptarë të vendit paguajnë taksa si edhe të gjithë të tjerët, dhe taksat e tyre nuk u përdorën si duhet as 5 vite nga qeveria e kaluar pasi erdhi opinioni i Komisionit të Venecias për ligjin e përdorimit të gjuhëve në vitin 2019, e as tash e 2 vite nga qeveria e tashme për zbatim të plotë të gjuhës shqipe në vet institucionet publike të vendit, pra as nëpër gjykata, ndërkohë që të githë të punësuarit në institucione publike, pra edhe në gjykata e prokurori, pagat i marrin edhe nga 25% e popullatës banuese në vend dhe kompanitë e tyre, pra edhe nga populli shqiptar i vendit. / Zhurnal.mk.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër