Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin e arsyetuar lidhur me lënin në fuqi të kërkesës së GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kryeministri kërkoi shfuqizimin e masës së pezullimit, pasi cenonte imunitetin dhe parimin e ndarjes së së pushteteve.
Në vendimin e zbardhur, Gjykata Kushtetuese nënvizon se për sa i përket parimit të ndarjes së pushteteve, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime.
Një pjesë e gjyqtarëve vlerësojnë se balancimi mes interesit për ndjekje penale dhe funksionimit të rregullt të qeverisë do të kërkonte autorizim paraprak nga Kuvendi si mekanizëm ekuilibrues.
Ata argumentuan se përfshirja e Kuvendit shmang rrezikun e ndërhyrjes së një pushteti mbi tjetrin dhe garanton kontroll institucional.
“Vlerësojmë se balancimi ndërmjet interesit publik për ndjekje penale efektive e ushtrimit të funksionit gjyqësor dhe atij për garantimin e funksionimit efektiv të pushtetit ekzekutiv kërkon detyrimisht ndërmjetësimin e Kuvendit, nëpërmjet autorizimit paraprak të tij, gjë që nuk buron nga zgjerimi i regjimit të imuniteteve përtej vullnetit të kushtetutëbërësit, por rrjedh nga nevoja për të ruajtur ekuilibrin kushtetues ndërmjet pushteteve dhe për të garantuar që ndërhyrja në përbërjen dhe funksionimin e pushtetit ekzekutiv (qeverisë) të mos realizohet pa pjesëmarrjen e vetë organit që mban përgjegjësinë politike për të”, thuhet në argumentimin e Gjykatës Kushtetuese.
Qëndrimi tjetër theksonte se, Kushtetuta parashikon autorizim vetëm për masa, si arrestimi apo kontrolli personal, dhe pezullimi nuk përfshihet në to. Sipas gjyqtarëve masa e pezullimit konsiderohet masë ndaj individit dhe jo institucionit, ndaj nuk cenon në vetvete ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Gjyqtarët arritën në konkluzionin se pezullimi i ministrit nuk kërkon autorizim të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit kushtetues.
Sipas Gjykatës, kjo masë nuk cenon në vetvete kompetencat e pushtetit ekzekutiv, por synon të garantojë integritetin e procesit penal duke ndaluar përkohësisht ushtrimin e detyrës deri në tre muaj.
“Masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike, sipas nenit 242 të KPP-së, ndaj një ministri nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit, pasi: a) nuk përfshihet në listën e masave të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës; b) normat për imunitetin interpretohen ngushtë dhe nuk lejojnë zgjerim ose krijim të normave të reja nëpërmjet interpretimit; c) arkitektura aktuale kushtetuese ofron garanci të mjaftueshme kundër ndjekjes penale arbitrare për motive politike; ç) efektet faktike për ushtrimin e funksionit nuk synojnë institucionin, por individin që dyshohet se nëse vijon kryerjen e detyrës mund të dëmtojë rëndë hetimin penal dhe nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Për këto arsye, interpretimi i zgjeruar i mbrojtjes kushtetuese përtej rasteve të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2, nuk gjen mbështetje në tekstin, frymën dhe arkitekturën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, argumenton Gjykata Kushtetuese.
Sa i përket imunitetit të ministrit, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se imuniteti i ministrit nuk është privilegj personal apo mbrojtje absolute nga ndjekja penale.
Sipas gjykatës, ai përbën vetëm një garanci funksionale të kufizuar, që synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Gjykata Kushtetuese nënvizon se, ministri, si çdo individ tjetër, mbetet subjekt i përgjegjësisë penale dhe i juridiksionit të organeve të drejtësisë në rast të kryerjes së një vepre penale.
“Imuniteti i ministrit nuk përbën një privilegj individual ose një formë mbrojtjeje absolute ndaj juridiksionit penal, por një garanci funksionale të kufizuar, e cila synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës. Kjo garanci nuk mund të shndërrohet në pengesë për ushtrimin e ndjekjes penale ose të juridiksionit gjyqësor përtej rasteve të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta.
“Gjykata thekson se, ndonëse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky i fundit ka si qëllim vetëm garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të funksionit publik, duke i mbrojtur ata nga ndërhyrje ose sulme të padrejta me natyrë politike. Edhe pse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky regjim nuk përbën privilegj personal, por një garanci funksionale që synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës publike. Ai nuk përbën dhe nuk mund të interpretohet si një mburojë ndaj zbatimit të ligjit penal, pasi ministri, si çdo individ, mbetet subjekt i përgjegjësisë penale dhe është i detyruar t’u nënshtrohet rregullave dhe sanksioneve penale përpara organeve kompetente në rast të kryerjes së një vepre penale”, nënvizon Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese më datë 6 shkurt 2026 nuk arriti kuorumin e duhur të votave, (ndarë katër me katër) e për rrjedhojë vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit dhe heqjen e masës së pezullimit të përkohshëm të vendosur më herët gjatë shqyrtimit të çështjes.

