Shkup, 6 korrik, Zhurnal.mk – As pushteti, as opozita nuk lëshojnë pe dhe nuk tërhiqen nga pozicionet e tyre lidhur me rregullimin zgjedhor, për çka është e qartë se Kodi Zgjedhor do të mbetet i “bllokuar” në procedurat parlamentare, ku LSDM dhe Levica tashmë kanë dorëzuar 13,5 mijë amendamente, duke e bërë pothuajse të pamundur miratimin e ndryshimeve. Për nesër është paralajmëruar një takim i ri i grupit punues, ku do të tentohet sërish tejkalimi i dallimeve të mëdha mes palëve, raporton Fokus, transmeton Zhurnal.
Ende nuk ka asnjë lëvizje në pozicionet mes pushtetit dhe opozitës për çështjen e Kodit Zgjedhor. Pasi kryeministri Hristijan Mickoski propozoi që, në vend të votimit elektronik, diaspora të votojë me postë si kompromis, në këmbim të tërheqjes së amendamenteve nga opozita, deri tani nuk ka përgjigje për këtë propozim. Për nesër është paralajmëruar një takim i mundshëm i grupit punues, ku LSDM dhe Levica duhet të përgjigjen për ofertën e kryeministrit.
Megjithatë, sipas retorikës së përdorur dhe ashpërsisë së debatit, gjasat janë të vogla që dy partitë opozitare ta pranojnë ofertën, në këmbim të zhbllokimit të procesit. LSDM dhe Levica së bashku kanë dorëzuar mbi 13,5 mijë amendamente, duke e bërë teorikisht të pamundur miratimin e ndryshimeve. Nga shërbimet parlamentare informojnë se po përgatitet përkthimi në gjuhën shqipe i të gjitha amendamenteve, për çka u ndërpre edhe seanca e Komisionit për Sistem Politik, ku kishte nisur shqyrtimi i tyre.
Në njoftimin e fundit partiak nga Bihaku, LSDM akuzoi pushtetin se po përgatit një përpjekje të re për, siç thotë partia, keqpërdorimin e votave të shtetasve maqedonas që jetojnë në diasporë, përmes ndryshimeve që po shqyrtohen për mënyrën e votimit të tyre.
Në njoftim, LSDM i hedh poshtë pretendimet se janë kundër votimit të diasporës, duke theksuar se janë kundër zgjidhjeve që, sipas tyre, mund të hapin mundësi për manipulime zgjedhore.
“Gënjeshtër është se LSDM është kundër votimit të diasporës. LSDM është kundër që Mickoski të votojë në vend të diasporës”, thuhet në njoftim.
Edhe Levica i hodhi poshtë pretendimet e Mickoskit dhe VMRO‑DPMNE‑së se të gjitha kërkesat e tyre për Kodin Zgjedhor janë pranuar.
Përkundrazi, thonë ata, kërkesat e tyre – veçanërisht ato për një njësi të vetme zgjedhore dhe heqjen e reklamimit politik të paguar – janë refuzuar, megjithëse partia gjatë gjithë procesit në grupin punues ka qenë konstruktive dhe ka synuar konsensus dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Një njësi zgjedhore dhe një Kod i ri Zgjedhor ishte arsyeja pse u formua grupi punues. Një njësi zgjedhore nuk është kërkesë e Levicës e shpikur brenda natës – për të është folur me dekada. Ajo figuron madje edhe në programin e VMRO‑DPMNE‑së. Vetëm një vit më parë, Mickoski apelonte personalisht për zbatimin e saj si reformë të vërtetë demokratike. Sot, ajo ide jo vetëm që mungon në tekstin e propozuar të Kodit, por ka zhdukur edhe nga fjalori i VMRO‑DPMNE‑së. Në vend të një reforme që garanton vlerësimin e çdo vote, publiku po merret me një temë që dje nuk ekzistonte, e sot papritur paraqitet si parakusht pa të cilin nuk ka reforma zgjedhore – votimi elektronik i diasporës”, thonë nga partia e Apasievit.
Pushteti u përgjigj duke thënë se Levica dhe Dimitar Apasiev merren me politika sipërfaqësore PR dhe se qytetarët i kanë “lexuar” tashmë.
“Para qytetarëve thonë se problemi është modeli me një njësi zgjedhore, diçka që edhe ne e mbështesim, ndërsa prapa perdeve i interesojnë vetëm paratë. Të jetë krejtësisht e qartë: VMRO‑DPMNE i pranoi të gjitha kërkesat e Levicës për Kodin e ri Zgjedhor, ndërsa ata, në vend që një herë të tregojnë se mund të qëndrojnë pas marrëveshjes, refuzuan ta nënshkruajnë marrëveshjen konsensuale dhe më pas e bllokuan së bashku me LSDM‑në”, deklaroi zëdhënësi i VMRO‑DPMNE‑së, Valentin Manasievski.
Sot edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e mbështeti publikisht idenë e votimit elektronik – me kusht që të garantohen identifikimi i votuesve dhe fshehtësia e votimit. Ai u bëri thirrje koordinatorëve të grupeve parlamentare të përpiqen të tejkalojnë dallimet dhe të arrijnë kompromis për Kodin Zgjedhor.
Në bisedën me gazetarët, Gashi tha se votimi elektronik ka qenë pjesë e programit të partisë së tij, Alternativa.
